Tërhiqet nga çështja e Hatijas, gjyqtari: Ndihem i paragjykuar
Gjyqtari i Durrësit, Petraq Curri ka hequr dorë nga çështja e Alket Hatisë, i njohur si ‘baroni i drogës’. Kërkesa e tij filllimisht ka mbërritur në zyrën e kryegjyqtares së Durrësit dhe më pas në Ministrinë e Drejtësisë.
Curri në motivacionin e tij thotë se nuk do të jetë pjesë e një çështje që cënon integritetin e tij si gjyqtar. Në kërkesë shkruhet se ai ndjehet i paragjykuar në profesionin e tij.
Ndaj gjyqtarit Petraq Curri, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur një hetim disiplinor pas vendimit që dha për të hetuar në gjendje të lirë Alket Hatinë.
Ky i fundit u la i lirë nga Gjykata e Durrësit me 10 korrik të këtij viti.
Pas shqyrtimit të dosjes së ardhur nga Italia, gjykata arsyetoi se Alket Hatija duhej të lirohej pasi ai ishte dënuar më parë për trafik droge nga Krimet e Rënda dhe se sipas vendimit të Gjykatës së Durresit ai nuk mund të gjykohej dy herë për të njëjtën vepër penale./ABC News