Një foto profili me një histori rënqethëse nga pas
Një nëne e re, e cila mban në krahë beben e saj. Kjo është një foto profili e postuar në Facebook vetëm pak orë pasi gruaja të mbytej për vdekje nga babai i foshnjes. Historia e rëndë që fshihet pas këtij imazhi është sjellë në vëmendje nga mediat britanike, ditën kur autori i ngjarjes së rëndë u dënua nga gjykata.
Mark Mahoney e sulmoi Vikki Hull në shtëpinë e babait të saj, pak pasi ajo kishte postuar në rrjetin social fotografinë me beben 6 - javëshe Rosie Leigh. Në gjendje të dehur dhe pas një sherri me të, Mahoney e la partneren për të vdekur dhe doli rrugëve, për t'u arrestuar më pas nga policia. Para oficerëve ai deklaroi se Vikki i kishte thënë se nuk donte që ai t'i afrohej më familjes së saj dhe kjo e kishte mërzitur. Sot, Mahoney u dënua me burgim të përjetshëm. Ai kishte qenë me Vikkin dhe babain e saj Jack Hull gjatë të shtunës së 8 Prillit, fillimisht duke shijuar një barbecue, në shtëpinë ku jetonin në Liverpool. Më vonë ata shkuan në një klub ku Vikki postoi edhe një foto sëbashku. Babai i vajzës kishte shkuar në shtëpi pak pas mesnate, duke u ngjitur fillimisht në katin e dytë të shtëpisë. Kur kishte zbritur poshtë ai e kishte gjetur të bijën në divan dhe fillimisht kishte pandehur se ajo po flinte gjumë. Por kur kishte kapur dorën e saj, ishte alarmuar pasi vajza nuk po lëvizte dhe nuk po merrte frymë. Ai kishte dalluar shenjat në qafë dhe menjëherë kishte telefonuar shërbimet e emergjencës. E reja u shpall e vdekur në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar. Para gjykatës, 31 - vjeçari Mahoney tha se kishte pasur një zënkë me gruan dhe ajo i kishte kërkuar të ndaheshin. Kjo kishte shkaktuar zemëratë tek ai dhe e kishte kapur nga fyti për ta trembur. Ai pretendoi se nuk kishte dashur ta vriste, megjithatë u dënuar nga gjykata britanike. /tvklan.al