Lulzim Basha përjashtohet nga Kuvendi
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka përjashtuar nga seanca e Kuvendit kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Basha u paralajmërua disa herë nga Ruçi, se ndaj tij do të merrej masa disiplinore për largim nga seanca e Parlamentit.
“
Nuk dëshiroja që masa e parë disiplinore t’i jepej kreut të opozitës, Lulzim Basha”
, tha Gramoz Ruçi teksa i bëri me dije kreut demokrat se duhet të lerë Kuvendin menjëherë.
Kryedemokrati Basha, u paralajmërua dy herë nga Ruçi për “zaptim” të foltores, pasi minutata e tij kishin mbaruar. Nuk dihet ende se sa do të jetë masa disiplinore për kreun e opozitës, do ta vendosë Konferenca e Kryetarëve.
Debati nisi për komisionin e posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore. Grupi parlamentar i PD kërkonte që të bëheshin diskutime për komisionin e reformës zgjedhore, pasi kishin depozituar kërkesën në sekretarinë e kuvendit.
Ndërkohë, me miratimin e grupit të PS dhe të LSI, u votua që ky diskutim të bëhej seancën e radhës në mënyrë që të përgatiteshin të gjitha palët.
Pas votimit që diskutimi të shtyhej të enjten e ardhshme, Basha i kërkoi Gramoz Ruçit që të mblidhte Konfrencën e Kryetarëve për këtë çështje dhe të mos i heqë opozitës të drejtën për diskutim.
/tvklan.al