Tensione në diskutimin e planit vendor në Himarë, goditet kameramani i Tv Klan
Mes tensionit është zhvilluar në Himarë një takim i parashikuar një javë më parë, mes një përfaqësie të banorëve me kryetarin e Bashkisë, Jorgo Goro dhe dy ministrat Damian Gjiknuri dhe Mirala Kumbaro.
Në qendër të debatit mbetet Plani i Përgjithshëm Vendor të qytetit. Pavarësisht se ishte rënë dakord që takimi të zhvillohej vetëm me një përfaqësi në hyrje të godinës ishte grumbulluar një turmë njerëzish. Forcat e policisë janë përpjekur për të shmangur incidentet. Pavarësisht kësaj, dhunës nuk i ka shpëtuar grupi i xhirimit të Televizionit Klan, nga personat e paftuar në takim. Në përfundim të takimit, Ministri Damian Gjiknuri tha se do të ngrihet një grup i përbashkët pune për të vlerësuar situatën ndërsa banesat që preken nga projekti do të dëmshpërblehen sipas ligjit. Plani i përgjithshëm vendor i Himarës parashikon prishjen e disa banesave, por kundërshtohet nga disa banorë. Në këtë çështje është përfshirë disa herë edhe Athina zyrtare, e cila, në deklaratat e saj nuk ka ngurruar t’i kujtojë Tiranës edhe problemet që mund t’i shkaktojë me integrimin. Tv Klan