Barazimi me Skënderbeun, jo dështim për Partizanin e Beogradit


Barazimi me Skënderbeun, jo dështim për Partizanin e Beogradit

23:50 18/10/2017

Do të tentojnë fitoren por barazimin nuk e konsiderojnë dështim. Trajneri i Partizanit të Beogradit, kundërshtari i radhës i Skënderbeut në grup të Europa League ka pranuar në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes së korçarët janë skuadër e fortë dhe për tu patur frikë.

Miroslav Dukiç, trajner i Partizanit: “Skënderbeu është një ekip agresiv. Luajnë lojë sulmuese dhe janë të fortë në mbrojtje. Do përpiqemi për rezultat pozitiv por luajmë kundër një ekipi që kryeson kampionatin. Ne gjithnjë futemi në fushë për fitore por barazimi nuk është dështim sepse Skënderbeu është ekip i fortë.”

Pritet që në Elbasan Arena Skënderbeu të ketë mbështetje të zjarrtë nga tifozë jo vetëm korçarë. Por trajneri thotë se atmosfera nuk do të ndikojë në lojën e tyre.

 

“Nuk i druhemi ambientit kemi ardhur të luajmë futboll. Në fushë do të jenë 11 kundër 11 dhe ata do përcaktojnë fatin e ndeshjes. Jemi mësuar të luajmë në ambiente të vështira dhe s’do të jetë problem për ne që Skënderbeu do ketë shumë mbështetje nga tifozët e vet.”

Partizani i Beogradit ka zhvilluar edhe stërvitjen e zakonshme para ndeshjes, në stadiumin Selman Stërmasi. /Tv Klan

 






Të ngjashme