Tahiri: Çdo e vërtetë e imja nuk është kërcënim për askënd
Njeriu më i përfolur i momentit, për të cilin Prokuroria kërkon arrestimin e tij, Saimir Tahiri ka zgjedhur që këtë të enjte të flasë në studion e emisionit “Opinion”, në Televizionin Klan.
Gazetari Fevziu zgjodhi ta niste intervistën duke e pyetur Tahirin nëse kemi gjë për të parë sot, referuar fjalisë që ai tha gjatë ditës për gazetarët se
“S’keni parë gjë akoma”.
“Edhe për mua kërkesa e Prokurorisë sot ishte e pazakontë dhe surprizë”, tha Tahiri.
Po për kryeministrin?
“Nuk e di, e ndoshta s’më takon ta di. Edhe sikur të ketë qenë surprizë për të gjithë, pasi nuk është diçka e zakonshme që të kërkohet arrestimi i ish-Ministrit të Brendshëm”.
Ndiheni i tradhtuar apo kurban?
“Unë nuk pres mbrojte nga askush, as nga familja , as nga kolegët e aq më pak nga kryeministri, që ka një barrë më të madhe sesa unë, sesa ne, e që mund t’i vijë dita që të lerë mënjanë një mik e koleg. Unë do të shqetësohesha nëse do të më braktiste e vërteta.”
I pyetur për takimin me kryeministrin, Tahiri tha
: “Kam pasur një bisedë normale, për një situatë anormale.”
Është e vërtetë që e keni kërcënuar kryeministrin që do ta merrni me vete?
“Nuk është e vërtetë. Çdo e vërtetë e imja nuk është kërcënim për askënd.”
“Unë e kisha shumë të lehtë të bëja shumë miq, të ruaja aleanca, kam qenë Ministër i Brendshëm, mund të bëja ndere.”/tvklan.al