Sot vendoset për arrestimin e Saimir Tahirit
Në orën 11:00, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila kërkon heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri për të kaluar më pas në arrestimin e tij.
Anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve janë të përberë nga deputetë të tre grupeve më të mëdha parlamentare, PS-PD-LSI.
Deputetët që do të shqyrtojnë kërkesën janë: Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Klotilda Bushka, Bledar Çuçi, Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja nga PS, Eduard Halimi, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Dhurata Çupi nga PD dhe Nasip Naço nga LSI.
Pas mbledhjes dhe vendimit që do të merret në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, pritet që të thirret një seancë plenare ku deputetët do të votojnë për heqjen ose jo të imunitetit për deputetin Tahiri. Ish-ministri i Brendshëm ka deklaruar dje në emisionin “Opinion” në Tv Klan se do të jetë prezent në mbledhjen e Këshillit.
Në “Opinion”, ish-ministri Tahiri deklaroi se sot do të arrestohet dhe se është i pari ministër që prangoset që prej 26 viteve.
Ditën e djeshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në Kryesinë e Kuvendit një kërkesë që kërkonte heqjen e imunitetit për Saimir Tahirin në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”. Hetimi është pjesë e dosjes “Habilaj” të kryer nga autoritetet italiane për trafik ndërkombëtar droge.
/tvklan.al