Në 2018-ën nis ndërtimi i tre veprave të reja rrugore
Vitin e ardhshëm qeveria do të nisë ndërtimin e 3 veprave të reja në infrastrukutrën rrugore. Në ligjin për projektbuxhetin e 2018-ës është parashikuar që 280 milion euro fonde të shërbejnë për të përfunduar rrugët që kanë nisur para disa vitesh dhe të financohen po ashtu edhe disa projekte të reja.
Loti i Dytë i Rrugës, Korçë – Ersekë është projekti i parë në listën e qeverisë, ndërsa po në jug të Shqipërisë do të buxhetohen para edhe për ndërtimin e By Pass- it të Tepelenës.
Ky segment, sëbashku me By Pass-in e Fierit dhe Vlorës mendohet që të shkurtojnë distancat për në zonat turistike. Qeveria planifikon që vitin e ardhshëm të ndërtojë edhe një tjetër segment të Unazës së Tiranës, nga sheshi ‘Shqiponja’ deri tek Bulevardi i Ri.
Njëkohësisht me këto akse, nis ndërtimi edhe i rrugës së Lumit të Vlorës, një projekt paratë e të cilit do të vijnë nga Banka Islamike si kredi e butë e që do të kushtojë 54 milion euro.
Përveç tyre në plan për t’u përfunduar janë rrugët Qukës – Qafë Pllocë dhe disa akse në rrugën e Kombit, të cilat janë pjesë e kontratës me firmën që ka marrë koncesionin e mirëmbajtjes së saj.
Në Ministrinë e Financave dhe atë të Transporteve po diskutohen edhe rrugë, të cilat do të ndërtohen me paratë e sektorit privat sipas formulës së projektit “1 billion euro”. E para që do të nisë ndërtimin është rruga e Arbrit, e pas saj në listë vjen segmenti Thumanë – Rrogozhinë dhe Kardhiq – Delvinë.
Ministria e Financave është duke përzgjedhur edhe një kompani private që do të ndihmojë qeverinë në evidentimin e kostove dhe risqeve që do të kenë projektet në partneritet me privatin.
Tv Klan