Këshilli i Mandateve vendos sot për Tahirin


Këshilli i Mandateve vendos sot për Tahirin

09:03 21/10/2017

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pritet që të mblidhet në orën 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për deputetin Saimir Tahiri.

Prokuroria për Krimet e Rënda i është drejtuar Këshillit me kërkesën për heqjen e imunitetit të Tahirit, me qëllim arrestimin e tij, kontrollin personal dhe të banesës, pas dyshimeve se mund të jetë i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Prokuroria thotë se ka prova që e implikojnë ish – ministrin me grupin e vëllezërve Habilaj. Këta të fundit, në dosjen e përgjimeve të autoriteteve italiane e përmendin në bisedat e tyre emrin e Tahirit.

Vetë ish – ministri i Brendshëm, i cili Habiljat i ka kushërinj të largët, ka mohuar çdo akuzë.

Gjatë ditës së premte, Këshilli për Rregulloren zhvilloi një mbledhje e cila zgjati rreth 6 orë, në pjesën më të madhe të kohës në prani të mediave.

Përballja e Tahirit dhe prokurorëve që kanë kërkuar autorizimin për arrestimin e tij, shkaktoi jo pak debate.

Drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj tha se gjatë hetimeve janë siguruar të dhëna se Saimir Tahiri është pjesë e grupit të vëllezërve Habilaj, të akuzuar për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion.

Hajdarmataj tha se ka prova që e implikojnë ish – ministrin.

Por Tahiri tha se akuzat nuk janë të bazuara në prova dhe se ai ka kërkuar vetë hetimin e Habilajve.

Ndërkohë, mbrëmjen e së premtes në Prokurorinë për Krimet e Rënda mësohet se ka mbërritur një pjesë tjetër e materialeve të ‘dosjes Habilaj’ nga pala italiane.

/tvklan.al






Të ngjashme