Tahiri: Nuk pranoj pranga politike, dua prova!


Tahiri: Nuk pranoj pranga politike, dua prova!

11:45 21/10/2017

Ashtu siç pritej Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur paraditen e kësaj të shtune për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri.

Me nisjen e mbledhjes, kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj kërkoi që të paraqesë disa prova të reja, të sjella nga autoritetet italiane, që sipas tij implikojnë përfshirjen e Tahirit në aktivitetin kriminal të grupit Habilaj. 

“Ditën e djeshme kanë mbërritur materiale të reja nga pala italiane. Ne kemi të administruar tashmë një pjesë tjetër të përgjimeve të palës italiane, që kërkojmë t’i administrojmë bashkë me dokumentet e ditës së djeshme”

, tha Hajdarmataj.

Kërkesa e prokurorisë për paraqitjen e provave të reja u pranua nga Këshilli.

Dy dosja të tjera kanë mbërritur mbrëmjen e së premtes në lidhje me grupin Habilaj nga pala italiane.

Pas administrimit të provave të reja, ka rinisur dhe mbledhja në prani të mediave, me parashtrimin e palës mbrojtëse.

Avokati Artan Hajdari:

“Nuk duhet të abuzohet me çështjen e sekretit hetimor. Ato janë të përcaktuara në mënyrë të saktë në kodin e procedurës penale. Unë si mbrojtës kam të drejtë për të mbrojtur të drejtat e personit nën hetim, të kërkoj që të më vihen materialet në dispozicion. Në lidhje me parashtrimin do të doja që të ndalesha në disa momente kryesore. Kërkesa e organit të prokurorisë është e pabazuar në ligj dhe në prova.

Kërkesa që i drejtohet Kuvendit për lejimin e arrestit ka një kontekst të ri në raport me ndryshimet kushtetuese. Çështja e imunitetit nuk është më ajo e mëparshmja. Prokuroria është e detyruar, duhet shoqëruar me prova, kjo kërkesë nuk ka pasur asnjë provë nga ajo që përmendet në kërkesë. Pavarësisht se nuk i përmban Kushtetutës e ligjit, në citimin e provave është shumë evidente, që këto prova jo vetëm nuk duhet të merren në konsideratë, por nuk përbëjnë asnjë të dhënë. Ky hetim për këtë moment, për aq sa ka filluar, nuk ka asnjë garanci të parashikuara nga dispozitat kushtetuese. Dy prova ka përmendur prokuroria, një akt juridik, kontrata e shitjes, mes deputetit dhe një personi.

Kjo është një marrëdhënie juridike që nuk ka vlerë në këtë proces. Edhe fakti që makina është përdorur nga personat, ra jo vetëm si indicie jo më si një provë. Sistemi TIMS nuk tregon që personi në fjalë ka udhëtuar me personat në fjalë. Do të thotë se në datat që përmenden, ajo që thuhet nuk është e vërtetë. Uroj që kjo të jetë kështu dhe të jetë kështu se s’ka si të jetë tjetër. Nuk mund të vihet me një kërkesë për arrestim, pa përmendur dyshim konkret dhe jo bindjen Kjo do të thotë se deputeti duhet të përmendet vetëm kur ky këshill të bindet në provat dhe nëse kjo garanci nuk gjykohet në këtë sallë, atëherë çdo të thotë për dikë që do të jetë përpara një organi gjyqësor, i cili abuzon me kërkesa që kanë të bëjnë me persona të tjerë, jo me deputetin Tahiri.

Të gjitha materialet që kemi pasur nga media kemi lexuar dhe përkthyer fjalë për fjalë. Nuk ka asnjë implikim qoftë edhe të vetëm të Tahirit që tregon lidhje direkte, indirekte, periferike apo aksidentale, apo dyshime që mund të krijojnë bindje të organit, apo dyshime të organit në lidhje me veprimtarinë e atij grupi kriminal. Është për të ardhur keq që për një grup kriminal që ka nisur në vitin 2016, bëhet në mënyrë kaq urgjente një regjistrim dhe vihet për më pak se 48 orë në Parlament dhe seanca të ndahet në dy momente, publike dhe jo publike, sepse nuk ka asnjë provë në sensin procedurial. Deputeti është i lirë të hetohet, kjo është garancia e vetme dhe e fundit që duhet t’i shërbeje historisë dhe drejtësisë.

Në të gjithë materialin që ne kemi lexuar dhe përkthyer, është çudi dhe qesharake që veprimtaria kriminale të merret seriozisht kur flitet për persona të veshur me pushtete. Natyrisht duhen marrë, por mbi bazën e një procedure të caktuar, që të mos përbëjnë pavlefshmëri për procesin. Në një përgjim që është bërë, po ju lexoj një pasazh tjetër. Ka kaluar një fugon policie dhe Habilaj i thotë grupit, që ky fugon kaloi për ne. Kjo është shumë qesharake. Nuk ka një indicie të vetme, një bisedim të vetëm për zotin Tahiri. Në këtë kushte, raporti duhet të shkojë me kërkim e qartë që të rrëzohet.

Alibeaj:

Kohën e mbrojtjes e ka konsumuar avokati. Para disa ditësh, klienti juaj ka dalë në këtë seli, në cilësinë e deputetit dhe ka shprehur opinionin e tij mbi ngjarjet. Refuzoi çdo lloj privilegji dhe imuniteti dhe donte që hetimi të shkojë deri në fund për të shkuar tek e drejta. Mesa kuptoj unë në atë moment vullneti ka qenë që refuzon imunitetin. Pra nuk donte mbrotje nga kërkesa. Tani kë të marrim për të vërtetë?

Tahiri:

Në fakt nuk kam asnjëlloj tundimi për t’i impresionuar apo për t’u vënë në provë nëse dua të hetohem apo jo. Unë do jem këtu dhe nuk do të lëviz asnjë sekond derisa të dalë e vërteta. Të hetohet nga cilido prokuror që të dalë e vërteta. Unë do kërkoj që të dalë në dritë pa anjëlloj hezitimi. Unë do kërkoj çdo provë, ama do refuzoj sa të kem frymë çdolloj skenari politik të llumit apo të rrugës, që të më verë mua pesha të pa merituara, apo të padrejta mbi shpinë.

Alibeaj:

Pyetja ime është kjo, ju keni thënë në konferencën për shtyp, që nuk doni të mbroheni me imunitet. Çështja është me apo pa imunitet?

Tahiri:

Unë jam i gatshëm të hetohem dhe të bëj gjithçka për të vërtetën dhe të mbaj përgjegjësi për çdo veprimin timin, por unë kërkoj prova. Ju nuk mund të më kërkoni të më arrestoni se dy banditë thonë në muajin e dytë të punës time, se unë bëj 5 milion në muaj. Kërkoj prova për çdo veprim, që ju, prokuroria mendon se kam shkelur ligjin në çdo mënyrë. Por nuk pranoj që të shkoj në burg për një vepër të bërë nga dy kushërinj të largët. A do të shkoje ti në burg sepse një familjar i yti ka vrarë një njeri. E di ti këtë? A do të pranoje ti? Unë as standardin të bëj lavire prokurorët nuk e bëj. Unë kam standardin për të qëndruar përballë deri sa të dalë e vërteta.

Alibeaj:

The që s’ka prova, e përdorur politikisht madje. Po nëse është kështu përse nuk shkoni para gjykatës? Pse nuk e bën ti këtë?.

Tahiri:

Unë jam gati të më rrini nga prapa 24 orë, të bëj gjithçka, por pranga politike në duar nuk pranoj.

Tahiri:

Unë nuk mund të arrestohem dhe pastaj të gjeni provat, nuk ka kështu, dua prova tani! Dëgjova që prokuroria tha se mund të iki, të largohet nga Shqipëria, nuk kam ndërmend të lëviz centimetrim. Dëgjova se mund të prish provat në Itali. Nuk e kam këtë kapacitet. Sa i takon makinës time, Zaganit, raportit tim me akuzat e ngritura prej tij, unë kam qenë shumë i qartë. Unë as kam heshtur as jam fshehur pas detyrës, as jam larguar. Publikisht dhe zyrtarisht jam paraqitur para prokurorisë për krimet e rënda. Dhe sot keni një vendim të Gjykatës së Fierit, ku të gjitha ato që thatë ju me gojën e Zaganit, janë gënjeshtra. 

/tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/HD-5LLA5jGw






Të ngjashme