Vrasja e Kennedy-t, Trump mban ende sekret disa nga dosjet


Vrasja e Kennedy-t, Trump mban ende sekret disa nga dosjet

15:10 27/10/2017

Pas një pritjeje të gjatë, më shumë se 2800 dosje sekrete mbi vrasjen e presidentit të Shteteve të Bashkuata të Amerikës, John Kennedy, janë publikuar nga administrata amerikane.

Megjithatë përballë presionit të agjencive të sigurisë amerikane, CIA dhe FBI, Donald Trump mbajti sërish të klasifikuara rreth 300 dosje, për arsye të sigurisë kombëtare. Shtëpia e Bardhë shpjegoi se presidenti nuk kishte zgjedhje tjetër, ndonëse kishte premtuar zbulime interesante.

Sipas CNN, Trump dëshironte që edhe dosje të tjera të publikoheshin por kërkesa e ardhur në tryezën e tij mbrëmjen e së enjtes nuk i la shumë kohë të mendohej.

Një prej dosjeve tregon se vrasësi i presidentit, ish-marinsi Lee Harvey Osvald, kishte folur me një agjent të KGB-së në ambasadën ruse në Meksikë, një agjent që sipas autoriteteve amerikane, ishte i specializuar në sabotazh dhe vrasje. Një tjetër dosje tregon se zyrtarët e ish-Bashkimit Sovjetik i trembeshin një sulmi raketor, pas vrasjes së Kennedy-t.

FBI kishte paralajmëruar policinë e Dallasit për eliminimin e Lee Harvey Osvald, por kishte marrë sigurinë se ai është i mbrojtur. Osvald u ekzekutua dy ditë pas vrasjes së presidentit, në departamentin e policisë së Dallasit.

Sipas dosjeve të deklasifikuara, një gazetë britanike, “The Cabridge News”, kishte marrë një telefonatë anonime ku flitej për një lajm të madh në SHBA, vetëm pak orë përpara asaj që njihet si “vrasja e shekullit”.

Publikimi i këtyre dosjeve është konsideruar i mangët nga opinioni publik në SHBA dhe një publikim që nuk plotëson panoramën e plotë të ngjarjes. Çfarë fshehin dosjet e mbajtura ende sekret? Ngrenë pyetjen mediat amerikane, të cilat shkruajnë se CIA dhe FBI kishin kohë 25 vjet të përgatiteshin për to dhe ngrenë misterin përse ky vendim i orës së fundit.

Tv Klan






Të ngjashme