“Shqiptarët duhet të ndryshojnë mentalitetin për homoseksualët”
“Shqiptarët duhet të ndryshojnë mentalitetin për gejt dhe lesbiket. Ata duhet të pranohen në shoqëri dhe jo të përjashtohen, pasi janë qenie njerëzore si kushdo tjetër”. Kjo është deklarata e përfaqësuesit të komunitetit LGBTI në Holandë, Boris Dittrich. Që prej vizitës së tij të parë në Shqipëri para 10 vitesh, ai thotë se situata ka ndryshuar disi.
“Komuniteti LGBTI është më aktiv, kanë akses tek politikanët dhe gjithashtu janë pjesë e diskutimeve se pse është e rëndësishme të kemi të drejta të barabarta dhe jo diskriminim, por megjithatë edhe në këtë aspekt ka ende shumë punë për të bërë. Për shembull ju mund të merrni si reference vende të tjera dhe të implementoni modelin e tyre në shoqëri.”
Megjithatë, sipas Boris një vëmendje më e madhe i duhet dhënë ligjit për martesat e çifteve me të njëjtën gjini, e po ashtu në punësimin e tyre.Po për sa i përket punësimit?
“Zakonisht këta persona e kanë shumë të vështirë të punësohen në Shqipëri. Edhe pse janë kreativë, janë të edukuar dhe është mirë për një kompani që t’i punësojë. Por duhet marrë parasysh edhe përshtatja e ambientit në mënyrë që këta individë të ndihen të pranuar dhe jo ndryshe nga të tjerët.”
Komuniteti LGBT vazhdon të jetë i diskriminuar,kjo është për shkak të mentalitetit apo prej ligjit?
“Jo nuk është dhe aq prej ligjit, sepse ligjërisht shumë gjëra janë arritur deri tani, por ende ka diferenca midis asaj që shkruhet në letër dhe çfarë zbatohet.”
Në shumë raste këta individë braktisen nga familja që prej momentit që ata zgjedhin të pranojnë seksualitetin e tyre, prandaj sipas Boris duhet të ndryshojë mentaliteti i prindërve dhe të afërmve për t’i pranuar ata siç janë. Ai propozon ngritjen e disa shtëpive ku ata mund të jetojnë dhe të ndihen të pranuar bashkë me persona të tjerë të komunitetit. Klan Plus