PD e PS debate për radarët tek Siguria
Kontrolli i hapësirës detare dhe asaj ajrore ka përplasur në Komisionin e Sigurisë, Ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka me përfaqësuesit e opozitës. Gjatë diskutimit të buxhetit të këtij dikasteri, Ministria Xhaçka garantoi funksionimin e radarëve dhe ftoi opozitën të mos përbaltë Forcat e Armatosura.
Ministrja Xhaçka:
Sistemi është plotësisht funksional, sistemi është në gatishmëri të plotë operacionale dhe këtë e them me gjithë përgjegjësinë institucionale që i takon pozicionit që mbaj.
Flamur Noka:
Në përgjimet e anti-mafias rezulton znj.ministre që banditët dhe trafikantët thonë që kemi njerëzit tanë në QNOD dhe radarët nuk kanë funksionuar asnjëherë. Drejtorin e QNOD-së që i la radarët në shërbim të trafikantëve emërohet se bashku me nëndrejtorin Prefekt, përfaqësues direkt të Kryeministrit.
Ministrja Xhaçka:
Janë një baltë e pamerituar për Forcat e Armatosura dhe për njerëzit me uniformë. Aktualisht vëzhgimi i hapësirës ajrore kryhet nga NATO.
Flamur Noka:
Jeni ministre e re dhe duhet ta dini. NATO kontrollon hapësirën ajrore mbi 3 mijë metër. Deri në 3 mijë metër lartësi, e kontrollojmë ne. Të sugjeroj, sepse është bërë modë tani në qeverinë tuaj, të marrësh një patentë skafi ti bashkë me dy Gjeneralët, dilni patrulloni në det dhe do shihni se ai që ka patentë e ka bërë Adriatikun autostradë të drogës.
Por kjo nuk qe e vetja përplasje mes përfaqësuesve të opozitës e maxhorancës në Komisonin e Sigurisë. Disa pyetje të demokratit Ervin Salianji në adresë të Ministres Xhaçka sollën përplasjen mes tij dhe dy deputetëve socialistë, Sterkaj e Ndreu.
Pas debateve opozita braktisi komisionin e sigurisë, por për incidentin palët replikuan sërish nga selia e kryesisë së kuvendit. Përmes një deklarate për shtyp Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të hetojë kërcënimin mafioz e banditesk që sipas saj, deputetët Ndreu dhe Stërkaj i bënë demokratit Salianji.
Tv Klan