Gjykata e Krujës liron para kohe nga burgu Genci Tafilin


Gjykata e Krujës liron para kohe nga burgu Genci Tafilin

14:00 07/11/2017

Gjykata e Krujës liroi me kusht para kohe, Genci Tafilin i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës Arben Zylyftari në vitin 2000. Ai vuante dënimin në burgun sigurisë së lartë të Fushë- Krujë, ndërsa kishte kaluar 17 vite në qeli.

Gjyqtarja Enkeleda Hoxha pranoi kërkesën e të dënuarit dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm. Ajo i kërkoi Tafilit të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Proves në Krujë. Pas vendimit reagoi prokuroria e Krujës që cilësoi atë në kundërshtim me ligjin pasi sipas saj Tafilit i kanë mbetur edhe të paktën 3 vjet burg për të vuajtur dhe ligji parashikon qartë se për dënime të të tilla veprash nuk lejohet lirimi me kusht.

Kodi Penal parashikon shprehimisht se “nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin përsëritës për krime te kryera me dashje si dhe për të dënuarit për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga neni 78/a për vrasje me dashje dhe nenet 79/a, 79/b, 79/c për vrasje në rrethana cilësuese, vrasje të punonjësit të policisë.

Prokuroria e Krujës ka ankimuar menjëherë vendimin në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ndërsa ka njoftuar KLD-në dhe Ministrinë e Drejtësisë. Për çështjen reagoi edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta i cili ka kërkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë verifikimin e rastit.

Genci Tafili është vëllai i Admir Tafilit i cili vuan dënimin me burg përjetë ndërsa ka tentuar të arratiset. Së fundmi Admir Tafili është dënuar si urdhërues i një sërë vrasjesh me pagesë.

Tv Klan






Të ngjashme