Merr fund arratia e anëtarit të “bandës së Babagjyshëve”
Një prej anëtarëve të të ashtuquajturës “Banda e Babagjyshëve” është arrestuar në Holandë.
Fatmir (Fatjon) Pjetri kërkohej prej 3 vitesh nga drejtësia shqiptare, por vetëm së fundmi është bërë i mundur ndalimi i tij.
31 – vjeçari nga Puka u arrestua në Holandë, falë bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me Interpol Haga.
Burime zyrtare thonë se Pjetri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e për Krimet e Rënda, më 19 Dhjetor të 2014 -ës, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të “Vjedhjes me armë”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
“Banda e Babagjyshëve”, e përbërë nga 11 anëtarë dhe e drejtuar nga i dënuari me burgim të përjetshëm, Ilir Kupa është përgjegjëse për një sërë vjedhjesh të argjendarive brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Më e bujshmja ishte ajo e fundvitit 2013, në një qendër tregtare në periferi të Tiranës, ku të gjithë anëtarët e kësaj bande ishin maskuar si babagjyshë.
/tvklan.al