Rikthehet reforma zgjedhore/ Javën tjetër mbledhja, do të ngrihet grupi i ekspertëve


Rikthehet reforma zgjedhore/ Javën tjetër mbledhja, do të ngrihet grupi i ekspertëve

23:55 24/11/2017

Komisioni i reformës zgjedhore do të mblidhet ditën e premte të  javës së ardhshme. Burime për Klan Plus  bëjnë me dije se me dakortësi mes mazhorancës dhe opozitës, hapi i parë që do të hedhin anëtarët komisionit parlamentar të reformës është ngritja e një grupi ekspertësh që do të punojë mbi ndryshimet në sistemin zgjedhor.

Nuk ka ende një propozim konkret mbi numrin e ekspertëve që do të jenë pjesë e këtij grupi, por ajo që palën dinë të thonë tani është se ai nuk do të jetë shumë i zgjeruar, në mënyrë që të jetë sa më efikas. Gjithashtu grupi është menduar që të jetë në varësi të forcave politike që do t’i propozojnë. Dy partitë e mëdha përkatësisht PS e PD do të kenë maksimalisht nga dy ekspertë, ndërsa partitë e vogla nga një. Po ashtu është rënë në dakortësi që të ftohen zyrtarisht edhe institucionet ndërkombëtare si OSBE/ODIHR, Këshilli i Europës, Komisioni Venecias, përfaqesues nga SHBA për të ndihmuar me ekspert dhe asistencë.

Për ngritjen e këtij grupi ekspertësh teknikë, do të diskutohet ditën e premte dhe po në këtë ditë do të prezantohen edhe qëndrimet politike të partive që janë pjesë e kësaj tryeze, si dhe kalendari i punës. Ky komision  do të  duhet të bazohet dhe të marrë parasysh problematikat e tre proceseve zgjedhore të fundit, sidomos shmangien e shitblerjes se votës, shqetësim ky i raportuar edhe nga OSBE/OHDIR.

Propozimi i demokratëve për të sanksionuar në ligjin e ri elektoral, votimin dhe numërimin elektronik të votave ndonëse është pranuar në parim edhe nga socialistët do të duhet të diskutohet dhe të mendohet për mekanizamat e jetësimit të këtij procesi. Diskutime do të ketë po ashtu edhe mbi sugjerimet e ministrit të Diasporës Pandeli Majko për votimin e emigrantëve përmes postës, propozime këto  që nuk u pranuan që në mbledhjen e parë të këtij komisioni nga demokratët. Ajo që mund të prish hera herës klimën politike në këtë tryezë është besueshmëria thuajse zero mes aktorëve kryesor politik tek njëri-tjetri.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Joniada Koçi






Të ngjashme