![](https://i0.wp.com/prova.tvklan.al/wp-content/uploads/2017/11/makina-vlore.jpg?fit=1920%2C1080&ssl=1)
Foto/ Digjet një tjetër makinë në Vlorë
Djegiet e makinave në Vlorë po kthehen në një fenomen të shpeshtë, me të paktën dy raste të tilla në një javë.
Kështu, rreth orës 01:45 të së dielës, një tjetër automjet është përfshirë nga flakët në lagjen ”Uji i Ftohtë”.
Sipas policisë, makina ”Audi” është në pronësi të Gentian Rukaj, banues në Tiranë, por ai ia kishte lënë në ruajtje dhe përdorim kunatit të tij, 25 – vjeçari Julian Malaj, banues në Vlorë.
Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikëses, mjeti ka marrë dëmtime plotësisht në pjesën e përparme. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Paraprakisht dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme.
Të martën e shkuar, një tjetër makinë u dogj po në Vlorë, gjatë orëve të natës. Makina ishte e parkuar në lagjen “Pavarësia” dhe ishte në pronësi të një inspektori policie. Në këtë rast, hetuesit konfirmuan se zjarrvënia ishte e qëllimshme.
/tvklan.al