Atentati në Vlorë/ Inez Hajrulla ishte arrestuar një vit më parë, ka ndryshuar emrin


Atentati në Vlorë/ Inez Hajrulla ishte arrestuar një vit më parë, ka ndryshuar emrin

12:42 27/11/2017

Inez Hajrulla, 25-vjeçari që sot ra pre e një atentati, është arrestuar para një viti nga Policia e Vlorës për armëmbajtje pa leje.

Në 20 Dhjetor 2016, në momentin e kontrollit nga uniformat blu, i riu e kishte hedhur armën në tokë pranë shkollës industriale. Bëhet fjalë për një pistoletë çeke me mbishkrim “CZ 75 B”, me një krehër dhe fishekë të kalibrit 9 mm, për të cilën policia tha se i përket të riut.

Por, 25-vjeçari më pas u la i lirë nga drejtësia. Ines Hajrulla është përfolur si i përfshirë edhe në grabitjen e një kazinoje në vitin 2013, por u la i lirë për mungesë provash.

Mëngjesin e sotëm atij iu bë atentat me tritol teksa udhëtonte me një fuoristradë tip “Jeep”. Ai u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe mësohet se ka humbur gjymtyrët e poshtme. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës, Inez Hajrulla cilësohet si person me precedent të theksuar kriminal.

Tvklan.al mësoi se 25-vjeçari ka ndryshuar emrin nga Imer në Ines për shkak të precedentëve të mëparshëm. Policia është duke hetuar konfliktet e të riut dhe nuk ka ende një pistë zyrtare.

/tvklan.al






Të ngjashme