Gazetari shkarkohet nga puna për sjellje të pahijshme seksuale
Rrjeti televiziv NBC njoftoi sot se ka pushuar nga puna Matt Lauer-in, një nga drejtuesit e mirënjohur të emisionit të mëngjesit, për sjellje seksuale të papërshtatshme në vendin e punës.
Bashkëdrejtuesja e emisionit Savannah Guthrie e njoftoi lajmin në fillim të programit të mëngjesit “Today”.
“
Ky është një mëngjes i trishtuar këtu në “Today” në NBC News
” tha ajo.’
Matt Lauer, 59 vjeç, është një nga figurat më të njohura të emisioneve të mëngjesit mjaft të ndjekura në Amerikë.
Ai radhitet tek të mëdhenjtë e gazetarisë televizive, spektaklit dhe politikës në SHBA, që janë larguar apo goditur pas akuzave për ngacmime, sulme seksuale ose përdhunime, në një valë zemërimi që nisi me akuzat e shumta ndaj manjatit të kinemasë Harvey Weinstein.
Në një shkresë drejtuar stafit, drejtuesi i NBC-së Andy Lack shkruante se të hënën në mbrëmje, rrjeti televiziv mori një ankesë të hollësishme rreth sjelljes së papërshtatshme seksuale në vendin e punës të gazetarit Matt Lauer.
“
Pas shqyrtimit serioz të letrës, ajo që thuhej në të, përfaqësonte një shkelje të qartë të standardeve të kompanisë sonë. Si rezultat, kemi vendosur të ndërpresim marrëdhëniet e tij të punës
“, shkruante zoti Lack.
Sipas tij kjo ishte ankesa e parë kundër Matt Lauer-it në më shumë se 20 vjet punë në NBC. Por drejtuesi i NBC-së tha se rrjeti televiziv siguroi prova që tregonin se ky nuk mund të mos ketë qenë një incident i izoluar.
Të mërkurën, Presidenti Trump komentoi në Twitter: “Çudi, Matt Lauer u shkarkua nga NBC për ‘sjellje të papërshtatshme seksuale në vendin e punës’. Kur do të shkarkohen drejtuesit e lartë të NBC & Comcast për aq shumë lajme të rreme që publikojnë? Kontrolloni të kaluarën e Andy Lack”!
/VOA