Xhafaj del në terren, shikon nga afër problemet në autostradën Tiranë – Durrës
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka inspektuar në terren situatën e krijuar për shkak të motit të keq në autostradën Tiranë - Durrës. Xhafaj shoqërohet nga disa zyrtarë të tjerë të Policisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme.
Ministri i Brendshëm ka biseduar me disa nga banorët e zonës të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë dhe bizneset për shkak të përmbytjeve. Ai u ofroi ndihmë personalisht disa qytetarëve duke u dhënë numrin e tij të telefonit për të kontaktuar nëse problemet e tyre nuk gjejnë zgjidhje. Ministri Xhafaj u kërkoi punonjësve të policisë që të mos largohen nga autostrada Tiranë-Durrës deri sa të largohen të gjitha makinat e qytetarëve që janë bllokuar që mbrëmë. Largimi i automjeteve do të bëhet me karroatrecët e shtetit dhe shpenzimet do të mbulohen nga qeveria, si dhe u ka kërkuar largimin sa më parë të karroatrecëve privatë. Pyetje: Z.Xhafaj, cilat janë masat që keni marrë për të përballuar këtë situatë? Ministri Xhafaj:Siç e shikoni dhe ju, policët i kemi të gjithë në dispozicion. Mund të them një fakt që e gjithë Policia është në situatë të jashtëzakonshme. Që nga mbrëmja e djeshme e gjithë Policia është në krye të detyrës.
Pyetje: Ka pika të nxehta z.Xhafaj aktualisht? Ministri Xhafaj:Akset kryesore. Ju i keni ndjekur, i ka dhënë dhe televizioni juaj. Me këtë rast, kjo është shumë e rëndësishme, dua t’ju falënderoj edhe për të gjithë këtë sakrificë që keni bërë ju, sepse është shumë e rëndësishme në radhë të parë për qytetarët edhe për të krijuar ata situatën edhe për t’u përshtatur me këtë situatë, e për të ndjekur rregullat përkatëse. E dyta, është një ndihmë shumë e madhe dhe për ne që e menaxhojmë këtë situatë.
Pyetje: Përsa i përket makinave të dëmtuara do merrni përsipër kostot? Ministri Xhafaj:Ne, siç e shihni kemi vënë në dispozicion karoatrecët, ato mundësi që kemi, që t’i lëvizim. Kemi biseduar dhe me Drejtorin dhe shefin e qarkullimit që së pari njëherë të jemi shumë të kujdesshëm, që të paktën ato që i ka dëmtuar natyra, mos të dëmtohen nga faktorë të tjerë të jashtëm dhe të jenë në prezencë vetë drejtuesit e mjeteve mundësisht. Dhe nëse edhe kur nuk janë në prezencë, të ketë mundësi policia nëpërmjet karoatrecëve t’i sistemojë diku, për të vazhduar pastaj... Dhe dy gjëra, që mjeti të ruhet aq sa mund të ruhen në këtë situatë dhe, e dyta, që është shumë e rëndësishme, të normalizohet situata.
Pyetje: Z.Xhafaj, kur do të jetë e hapur kjo rrugë, sepse është aksi kryesor i shqiptarëve? Ministri Xhafaj:Sapo të lirohet nga mjetet. S’mund ta them unë. /tvklan.al