Bllokohen dy porte, probleme dhe me fluturimet
Moti i keq ka bllokuar edhe dy nga portet kryesore të vendit, atë të Sarandës dhe Vlorës. Mësohet se transporti i udhëtarëve me tragete në Sarandë është ndërprerë që prej ditës së enjte.
Situata paraqitet më e vështirë në Portin e Vlorës, ku gjysma e tij është përmbytur duke qenë se ndodhet në të njëjtin nivel me detin. Aktualisht është vendosur një pompë për largimin e ujit.
Porti i Durrësit është nën kontroll dhe nuk ka bllokim të lëvizjeve, por masat e sigurisë dhe gjendja e emergjencës është e lartë.
Vështirësi pati edhe në udhëtimet ajrore, dy fluturime janë detyruar të ndalojnë në Shkup dhe Bari për shkak të reshjeve të dendura të cilat e bënë pistën e aeroportit “Nënë Tereza” të padallueshme. Aktualisht disa udhëtime dhe janë shtyrë dhe disa të tjera janë anuluar. Pista e aeroportit është pastruar, por sërish në perimetrin e tij njoftohet se ka prezencë uji.
Tv Klan