29 kg heroinë nga Shqipëria e Turqia, pranga 2 shqiptarëve dhe një grekeje
Rreth 29 kilogramë heroinë u sekuestruan nga policia në Greqi, ndërsa në pranga përfunduar 3 persona, 2 prej të cilëve shqiptarë.
Sipas mediave helene, hetimet intensive çuan në shkatërrimin e një rrjeti të specializuar për importimin dhe trafikimin e drogës, duke identifikuar e arrestuar anëtarët e saj. Në pranga përfunduan 2 shqiptarë të moshës 32 dhe 34 vjeç, si dhe një 29 - vjeçare greke. Droga u gjet në një tavernë në Kalyvia Thorikou, e cila përdorej si bazë për aktivitetin kriminal. Heroina, e cila sipas mediave greke vinte nga Shqipëria dhe Turqia dërgohej në këtë tavernë dhe më pas ripaketohej dhe përzihej me substanca të tjera. Operacioni i zhvilluar nga policia e Athinës dhe Selanikut çoi në sekuestrimin e një totali prej 59 pako heroinë, me peshë 28 kilogramë dhe 708.5 gramë, që u gjet e fshehur në tavernë. Autoritetet gjetën gjithashtu substanca përzierëse, rreth 4600 euro, telefona celularë, karta identiteti dhe patenta. Në krye të këtij rrjeti mësohet se ishte 32 - vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit, ashtu sikurse edhe të dy personave të tjerë të arrestuar nuk është bërë ende i ditur. Për 32 - vjeçarin shqiptar dhe vajzën greke mësohet se ekzistonin urdhra arresti nga Prokuroria e Athinës, për akuzat e pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe trafik droge./tvklan.al