Presidenti Trump shpall zyrtarisht Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit
Presidenti Donald Trump ka njoftuar publikisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të njohin zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Gjatë një deklarate për mediat nga Shtëpia e Bardhë, Trump theksoi se njohja e Jeruzalemit si kryeqytet shënon një qasje të re në marrëdhëniet Izrael – Palestinë.
Sipas presidentit amerikan, ky vendim është një hap që do të çojë përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe ftoi liderët e rajonit të të gjithë feve që t’i bashkohen kësaj nisme.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan dje se do të zhvendosin ambasadën e tyrë ne Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem pas 6 muajsh.
Pas këtij njoftimi të bërë një ditë më parë, presidenti francez Macron u shpreh i shqetësuar për vendimin e Trump, Mbreti i Arabisë Saudite Salman e quajti një hap të rrezikshëm që do të irritojë myslimanët në mbarë botën.
Kurse presidenti turk Erdogan paralajmëroi se Turqia do të ndërpresë marrdhëniet diplomatike me Izraelin. Jeruzalemi konsiderohet qytet i shenjtë si për hebrenjtë ashtu edhe për myslimanët. Mollë sherri është aktualisht pjesa lindore e populluar nga arabët, të cilën izraelitët e kanë nën kontroll prej 1967-ës. Palestinezët kërkojnë që ajo zonë të jetë kryeqytet i shtetit të tyre të pavarur. Ndërsa izraelitët pretendojnë se i gjithë qyteti është pjesë e kombit të tyre dhe se prej 3 mijë vjetësh është kryeqyteti i Izraelit.
/tvklan.al