Profili i Kryeprokurores së përkohshme


Profili i Kryeprokurores së përkohshme

14:49 18/12/2017

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Ndrecë Marku e ushtron detyrën e prokurores që në vitin 2002, kur përfundoi shkollën e Magjistraturës.

Që pas marrjes së dekretit nga Presidenti i Republikës, Marku ka punuar në Prokurorinë e Rrethit të Shkodrës, përveç një viti stazh si studente e Magjistraturës, të kryer në Prokurorinë e Fierit.

Nga viti 2009 deri në 2016, Arta Marku ka mbajtur detyrën e zv/drejtueses së Task Forcës në Prokurorinë e Shkodrës, kur me urdhër të Kryeprokurorit Adriatik Llalla u lirua nga kjo detyrë për të vazhduar si prokurore e thjeshtë.

Gjatë seancës së dëgjesave publike përpara Komisionit të Ligjeve, sëbashku me 6 kandidatët e tjerë të vetëofruar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, Marku shprehu jo pak rezerva për paraardhësin e saj.

Marku do të mbajë postin e Kryeprokurores së përkohshme dhe do të ushtrojë të gjitha kompetencat që parashikon ligji për Prokurorin e Përgjithshëm deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pra pa një afat të vendosur ligjor.

Sipas dispozitave kalimtare në ligjin për Prokurorinë, Prokurori i Përkohshëm emëron magjistratë, pezullon prokurorë, cakton në pozicione të përhershme magjistratë, heton shkeljet disiplinore.

Tv Klan






Të ngjashme