Amnistia për automjetet, afat deri me 31 Dhjetor
Kushdo që zotëron një automjet, por që prej kohësh nuk ka paguar detyrimet në shtet, ka afat që brenda datës 31 Dhjetor të përfitojë nga amnistia e qeverisë për faljen e plotë ose të pjesshme të detyrimeve.
Konkretisht nëse dikush ka në shtëpi një automjet qe nuk dëshiron ta përdorë më, por në shtet rezulton debitor, atëherë nëse paraqitet në Drejtorinë e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor brenda 31 Dhjetorit të këtij viti duke bërë çregjistrimin, atij i fshihen të gjitha detyrimet dhe gjobat dhe targa çregjistrohet.
Në rast se një drejtues ka në përdorim një automjet që nuk i ka paguar detyrimet prej vitesh, por dëshiron ta mbajë në përdorim, atëherë ai në drejtorinë e transportit mund të përfitoje fshirjen e detyrimeve tatimore për periudhat Dhjetor 2010 e më parë, me kushtin që të paguajë të gjitha detyrimet e taksave për periudhën Janar 2011 e në vijim.
Në total numëroheshin afro 120 mijë makina me status pasiv dhe nga Maji në Nëntor bëhet e ditur se janë çregjistruar afro 11 378 mjete. Për drejtuesit e automjeteve që nuk paraqiten brenda datës 31 Dhjetor, Drejtorinë e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën çregjistrim automatik të mjeteve që nuk është kryer asnjë veprim pas dhjetorit 2011. Ndërsa pjesa tjetër vazhdon të mbetet borxhli në shtet dhe i llogariten edhe kamatëvonesat.
Klan Plus