Shqiptarët të parët për kërkesat e pabazuara për azil
Shqiptarët qëndrojnë në krye të listës për aplikimet e pabazuara për azil në vendet e hapësirës Shengen. Ky është konkluzioni i raportit të Komisionit Europian, i bazuar në të dhënat e mekanizmit që mbikëqyrës ecurinë e ruajtjes së standardeve për lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimit Europian.
Në mbikëqyrje janë Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukraina, Moldavia dhe Gjergjia.
Shqipërinë, ky raport e rendit në krye për numrin e kërkesave të pabazuara për azil në vendet europiane, ku shqiptarët lëvizin lirshëm dhe pa viza.
Sipas shifrave të Eurostat, gjatë 2017-ës në vendet e Bashkimit Europian kërkuan azil 27 575 shqiptarë. Vendet europiane më të preferuara prej tyre ishin Gjermania dhe Franca.
Megjithatë Komisioni Europian i konsideron si tepër rezultative masat e marra nga autoritetet shqiptare, për të ulur numrin e rasteve të abuzimit me lëvizjen e lirë. Komisioni u bën thirrje të gjitha vendeve nën mbikëqyrje, të forcojnë kontrollet kufitare dhe të organizojnë fushata informuese për rregullat e lëvizjes së lirë dhe pa viza në zonën Shengen.
Shqetësimi për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë, solli në Tiranë javën e kaluar edhe Ministrin e Brendshëm francez Zherar Kolomb, i cili foli për një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare.
Tv Klan