Të premten java e 16 e Superligës


Të premten java e 16 e Superligës

16:27 21/12/2017

Ilir Dajës nuk i mjaftojnë 9 pikë distancë nga vendi i dytë. Trajneri i Skënderbeut u ka kërkuar futbollistëve që të mos e ulin për asnjë moment përqendrimin, edhe pse në këmbët e tyre peshon lodhja e Europa League, Kukës dhe kampionatit.

“Avantazhi prej 9 pikësh na jep qetësi, por duhet në vazhdimësi të jemi me motivim maksimal. Asnjë lojtar nuk do jetë në fushën e lojës nëse do shoh shenja nënvlerësimi.  Duhet të luftojmë fort që të ruajmë distancën pse jo edhe ta shtojmë”, tha Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.

Ndeshja më e rëndësishme e javës është Partizani – Vllaznia. Të kuqtë vijnë nga një humbje e rëndë, por për Ernest Gjokën kjo nuk do të thotë se lojtarët kanë humbur cilësitë e tyre.

“Nuk duhet të gënjehemi nga rezultatet e Partizanit sepse këto janë rezultate që ndodhin rrallë, por ndodhin. Mendoj që ne duhet të përgatitemi për një Partizan agresiv, për një ndeshje shumë të vështirë në transfertë.”

Flamurtari i vendit të dytë do të vizitojë Kamzën, surprizë për këtë pjesë të parë të sezonit. Trajneri Duro thumbon edhe arbitrat që pretendohet se kanë dëmtuar vlonjatët.

“Unë nuk e vlerësoj si skuadër debutuese, por e vlerësoj për atë që ka bërë. Shpresoj të fitojë më i miri dhe të ketë gjykim korrekt.”

Në ndeshjet e tjera të javës Laçi përballet me Lushnjën e vendit të fundit ndërsa Kukësi me Luftëtarin.

Tv Klan






Të ngjashme