Roja “peng” i firmës private
Emisioni “STOP” ka shkuar në Levan të Fierit, pasi Preng Deda kërkon të ngrejë zërin për historinë e tij të pazakontë.
Ai ka punuar si roje për pajisjet në kantierin e punimeve për bypassin e Fierit. Por policia private ka shkëputur marrëdhëniet me firmën kontraktore dhe Prenga as paguhet e as e lë dot kantierin nga frika e grabitjes dhe përgjegjësisë.“Unë punoj në këtë autostradë që në Qershor të vitit 2014 e deri më sot. Deri në Korrik të vitit 2016 jam i punësuar me kontratë pune dhe me të gjitha dokumentet. Më 3 Gusht 2016, më ka ardhur Ndriçim Kollçaku, në prani të përgjegjësit të rojeve dhe më ka thënë që tani është mbyllur kontrata e punës dhe tani e tutje jam unë pronar i juaj, firma ‘Geoservice’. Unë jam pronar i mirë tha, do ju paguaj rregullisht, paradhënie që nga sot e tuje. Më ka paguar paradhënie në fillim të muajit dhe deri në Dhjetor të vitit 2016. Më pas më ka mashtruar 3 muaj dhe nuk më ka paguar më. Në Mars ka dashur të më korruptojë, më tha merr ndonjë material me vlerë se s’kam lekë të të paguaj. Nuk ia pranova, nuk i kam shitur dot sepse unë jam korrekt me shtetin dhe me ligjin gjithmonë. Unë e di që ai ka dashur të më korruptojë, por një gjë të tillë nuk ia pranoj vetes, që të vej duart në të tilla gjëra.”
Bashëkshortja e rojes Deda tregon se ai qëndron gjatë gjithë kohës në krye të detyrës, duke mos e lënë asnjëherë vetëm vendin e punës dhe se nëse nuk ka mundësi ndonjë moment, e zëvendëson ajo. Prenga ka një kërkesë shumë të veçantë për emisionin “STOP”, të ndërhyjë që ta largojnë nga puna, pasi sipas tij, është e vetmja shpresë për të qenë edhe një herë i lirë. Gazetari i emisionit “STOP” komunikon nëpërmjet telefonit me pronarin Ndriçim Kollçaku. Ndriçim Kollçaku –Alo!
Gazetari – Përshëndetje. Flas me zotin Ndriçim Kollçaku? Ndriçim Kollçaku –Po!
Gazetari – Unë jam Olsi Çalaj, gazetar në emisionin “STOP”. Unë aktualisht jam në Levan të Fierit, te ky zotëria që është roje te objektet e tua. Ndriçim Kollçaku –S’janë objektet e mia ato.
Gazetari – Këto objekte të kujt janë? Ndriçim Kollçaku –Ato kanë qenë të një firme “Geoservice”, ku kam punuar edhe unë. Unë kam qenë përgjegjës punimesh. Tani ato mjete i ka marrë një firmë përmbarimi. (Prenga e mohon)
Kemi dy vjet jena shkëput se kam rrogën për të marrë. Gazetari – Domethënë as ti nuk je shlyer? Ndriçim Kollçaku –Aty është ai “Geoservisi” që ka lekët për të marrë te “Serenisima”. Edhe kështu puna, që kena mbet viktima të “Serinisimas”.
Gazetari – Ti, deri diku, ke dalë nga kjo histori, por ky zotëria është peng këtu. Nuk lëviz dot, është bllokuar gjithë kohën. Ndriçim Kollçaku–
Po unë i kam thënë atij: “Leni, braktisi”. Se ça të them unë, përderisa s’marrim rrogë, rujmë gjërat e botës kot.
Gazetari – Ky zotëria në momentin që mund të ikë, nuk ka asnjë detyrim nëqoftëse këto pajisje vidhen? Ndriçim Kollçaku –Po s’ka, si të ketë ai? Ai s’ka kontratë. Ai është pa kontratë, si duhet të ketë detyrim? S’ka asnjë lloj detyrimi, s’e kap asnjë për veshi. Biles edhe prapë do më marrë mua në telefon, edhe unë s’kam për t’i dhënë asnjë lloj përgjegjësie. Unë i kam thënë që ditën që s’i kanë paguar rrogën atij, ik, largohu prej aty edhe ta gjejnë vetë rrugën tani.
Gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua Inspektoriatit të Punës në Fier, ku komunikoi me Mariglen Andrea në lidhje me kërkesën e rojes së subjektit për t’u pushuar nga puna.“Ne jemi në dijeni të rastit. U ngrit grupi i punës dhe të gjithë informacionin e marrë nga ankuesi e kemi deleguar në Tiranë për ndjekje nga drejtoria qendrore sepse kompetencat tona janë vetëm brenda qarkut. Në kushtet që subjekti nuk gjendet nuk veprojmë dot”.
Pas përgjigjes së inspektorit Andrea, gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua Inspektoriatit Shtetëror të Punës nëpërmjet një shkrese zyrtare për të marrë një sqarim për këtë situatë. Ky i fundit u përgjigj se ankesa e Preng Dedës nuk mund të marrë zgjidhje nga Inspektoriati i Punës, pasi adresat e firmës rezultojnë aktive në QKB.“Vetëm se nuk kam vënë shkallë për të shkuar të Zoti për t’u ankuar se s’kam lënë vend pa trokitur për këtë punë”,
shprehet i pashpresë roja i subjektit, i cili nuk gjen dot zgjidhje për t’u larguar nga puna. /tvklan.al