Milinkoviç nuk është më trajner i Kukësit
Mladen Milinkoviç nuk është më trajneri i Kukësit.
Klubi kampion në fuqi bëri zyrtar vendimin e marrë pas humbjes me Luftëtarin, skuadra që bëri të njohur trajnerin serb në Shqipëri.
Presidenti Safet Gjici duroi më shumë se zakonisht duke i dhënë kohë, por gjithçka tani ka marrë fund. Rezultatet e këtij sezoni nuk ishin në favor të Milinkoviç që në 16 javë grumbulloi 25 pikë, duke lënë shumë pikë në “Zeqir Ymeri” ku sezonin e kaluar skuadra ishte e pathyeshme.
Mladen Milinkoviç mori drejtimin e ekipit në korrik të këtij viti. Synimi i klubit është ende titulli kampion edhe pse Skënderbeu kryesues është 12 pikë larg. Te Kukësi po punojnë për të gjetur trajnerin e ri ku janë disa kandidatura sipas asaj që njofton klubi. Njëra prej tyre është e Armando Cungut. Afrimi i disa lojtarëve është një tjetër objektiv i klubit kuksian gjatë merkatos së janarit për të forcuar grupin.
Tv Klan