Maqedonia në prag të një tjetër krize politike
Maqedonia ndodhet në prag të një tjetër krize politike, vetëm pak muaj pas krijimit me vështirësi të qeverisë pro-europiane të Zoran Zaevit. Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela njoftoi largimin nga koalicioni qeverisës, pas votimit brenda pak ditëve në parlament të pr/ligjit për përdorimin e gjerë në administratë të gjuhëve të minoriteteve etnike.
Zijadin Sela: “
Aleanca për Shqiptarët nuk do të jetë pjesë e një Qeverie, e cila është shndërruar në lavatriçe e politikanëve të inkriminuar dhe korruptuar dhe po lan nga mëkatet këto politikan sidomos që i përkasin bllokut politik shqiptar në Maqedoni”.
Mosmarrëveshjet lindën, pasi kjo parti humbi postin e ministrit të shëndetësisë, pas zgjedhjes së Arben Taravarit, kryetar i Komunës së Gostivarit. Kryeministri Zaev nuk pranoi që posti ti qëndronte kësaj partie, sipas marrëveshjes së majit. Në votimin e të hënës në parlament, ministër i shëndetësisë u zgjodh Venko Filipçe nga LSDM. Largimi i 3 deputetëve të Aleancës për Shqiptarët rrezikon shumicën qeverisëse, që mbetet me 59 deputetë nga të paktën 61 të nevojshëm. Zijadin Sela tha se nuk do të kërkojë zgjedhje të reja dhe se do të vijonte të votonte për reformat euro-atlantike.
Ndërsa kryeministri Zoran Zaev u shpreh i sigurt se zgjedhje të reja nuk do të ketë, të paktën deri në vitin 2019 kur të zgjidhet presidenti i ri. LSDM dhe BDI do të negociojnë me Partinë Demokratike Shqiptare për të afruar në koalicion dy deputetët e saj.
Tv Klan