Vettingu në polici fillon vitin e ardhshëm, Xhafaj: Pritshmëritë janë të mëdha


Vettingu në polici fillon vitin e ardhshëm, Xhafaj: Pritshmëritë janë të mëdha

17:13 27/12/2017

Pas një takimi konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile, të agjencive ligjzbatuese për projektligjin “Për vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit, Gardës dhe SHÇBA, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj pati një prononcim për gazetarët.

Duke iu përgjigjur interesit të tyre, Xhafaj theksoi se 2018-ta do të ketë Vetting edhe në Policinë e Shtetit. Ndërsa sa i përket takimit me Kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku, Ministri u shpreh se do kërkojë një takim institucional me të gjatë këtyre ditëve.

Më poshtë gjeni prononcimin e plotë:

Ministri Xhafaj:

E thashë dhe në takimin që kishim. Sot ishte një tryezë tjetër lidhur me Projektligjit e Vettingut. Një tryezë me aktorë të shoqërisë civile, me agjencitë ligjzbatuese që do përfshihen në gjithë këtë proces, në mënyrë që të sqarohen disa detaje nga pikëpamja e përmbajtjes së ligjit lidhur me përgjegjësinë e gjithë këtyre agjencive ligjzbatuese, që ato jo thjesht të marrin përsipër përgjegjësitë por dhe t’i ushtrojnë ato në përputhje me detyrimet që do të përcaktojë ligji.

Ishin kontribute që dhanë aktorët e agjencive ligjzbatuese që do të jenë pjesë e procesit dhe shoqëria civile.

Ne do të reflektojmë së bashku me komentet dhe sugjerimet që do të vijnë nga vetë radhët e Policisë, me të cilën kemi hapur tashmë një proces konsultimi. Dhe mbasi të reflektojmë të gjitha këto kontribute të dobishme që përmirësojmë cilësinë e këtij projekti, do të vijmë më pas në një tryezë shumë më të gjerë, për ta bërë publike E transparente dhe për publikun, për të ndjekur gjithë procesin e nevojshëm që parashikohet lidhur me projektligjet.

Dëshiroj të vlerësoj faktin që në këtë tryezë ishin aktorë të rëndësishëm nga Legjislativi, fusha pedagogjike, shoqëria civile dhe disa agjenci ligjzbatuese siç është ILDKPI, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, SHISH dhe një sërë aktorësh të tjerë të rëndësishëm që do të jenë pjesë e procesit të vlerësimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, punonjësve të Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së.

Një sqarim. Pse pikërisht keni zgjedhur Ministrinë e Drejtësisë?

Ministri Xhafaj:

Po jua them që ta kuptoni. Ne nuk duam t’i shpenzojmë paratë e shtetit nëpër hotele, kur shteti vetë ka struktura, ka mjedise ku nuk harxhojmë lekë kot.

2018-ta do të ketë Vetting edhe në Policinë e Shtetit…

Ministri Xhafaj:

Absolutisht po. E kam thënë që ditën e parë që jam bërë ministër që kjo do të jetë një nga prioritetet e punës në funksion të nevojës për të pasur një organizatë policore shumë më të fortë se deri tani, dhe për të pasur në radhët e Policisë së Shtetit njerëz me integritet të fortë, të qëndrueshëm moral dhe profesional.

Dua të them që policia sot ka në përbërjen e saj njerëz të tillë, ka një shumicë dërrmuese të njerëzve që gëzojnë pikërisht këtë cilësi.

Dhe kjo është arsyeja që Policia e Shtetit përballon sot me sukses një sërë detyrash që i afron ligji, në respekt të ligjit por dhe në shërbim të përditshëm të qytetarëve, siç e shihni edhe në këto ditë festash ku ndërsa të gjithë përgatiten për festat, gëzojnë në mjediset e tyre shoqërore dhe familjare. Ata përveç kësaj pjese aktiviteti normal si pjesëtar me familjet e tyre dhe me rrethet e tyre shoqërore, kanë edhe një barrë të madhe, të punojnë brenda dhe jashtë orarit për t’i bërë më të qeta dhe të sigurta këto festa për të gjithë qytetarët e Republikës.

Kështu që nëpërmjet jush është rasti për t’i falënderuar të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për këtë angazhim të jashtëzakonshëm që po tregojnë edhe në këto ditë, dhe për t’u bërë njëkohësisht edhe një thirrje të gjithë qytetarëve që t’ua lehtësojnë sa më shumë këtë sakrificë punonjësve të policisë. 

Faleminderit edhe për juve që shpesh herë na mirëkuptoni dhe vlerësoni!

Sot paskemi bërë lajm të vërtetë?!

Ministri Xhafaj: Lajm të vërtetë, pa dyshim, unë besoj që jeni…

T’ju bëj dhe një pyetje tjetër, kur do e takoni Prokuroren e Përgjithshme? Thatë të mërkurën, s’e takuat sot. Shkak axhenda… kur do e takoni?

Ministri Xhafaj: Për shkak të axhendës. Me thënë të drejtën, por bëre shumë mirë që më the. Po i kërkoj një takim institucional këto ditë.

/tvklan.al






Të ngjashme