Ministri Xhafaj takim me kryeprokuroren Arta Marku, u diskutua për Vetingun

Foto: Majtas Fatmir Xhafaj; djathtas Arta Marku

Ministri Xhafaj takim me kryeprokuroren Arta Marku, u diskutua për Vetingun

09:33 29/12/2017

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka zhvilluar një takim me kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku në zyrën e kësaj të fundit.

Takimi mes tyre vjen një ditë pasi kryeprokurorja Marku u takua me drejtorin e SHISH Helidon Bendo dhe me ambasadoren gjermane.

Takimi Xhafaj-Marku zgjati rreth 30 minuta dhe u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë realizimin e procesit të Vetingut, luftën kundër korrupsionit dhe trafikut të lëndëve narkotike.

Dy titullarët shprehën dakordësinë e plotë se këto procese kërkojnë një komunikim të vazhdueshëm dhe intensiv, me qëllim realizimin sa më të plotë dhe të shpejtë të pastrimit të institucioneve të sigurisë dhe të sistemit të drejtësisë nga zyrtarët me probleme në integritetin profesional dhe personal.

Kryeprokurorja Marku theksoi rëndësinë specifike që ka bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme në forcimin e sigurisë në vend, si edhe në pëmbushjen e prioriteteve të vendit për integrimin në Bashkimin Europian.

Marku u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për koordinimin ndërinstitucional, me qëllim zhvillimin me sukses të hetimeve të rëndësishme, si edhe të çdo procedimi penal me impakt të lartë shoqëror.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj garantoi se institucioni që ai drejton, si edhe Policia e Shtetit, do të vijojnë forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për rritjen e hetimeve proaktive, ku prioritet do të jetë lufta kundër korrupsionit.

/tvklan.al






Të ngjashme