Zaev përçan Lëvizjen Besa


Zaev përçan Lëvizjen Besa

14:24 07/01/2018

Disa deputetë të Lëvizjes Besa mund të bëhen pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoni.

Mediat e vendit fqinj shkruajnë se Zoran Zaev duket se do t’i gjejë brenda kësaj Lëvizje dy deputetët që i nevojiten për të pasur shumicën në parlament dhe për të mbajtur pushtetin, pas largimit të 3 deputetëve të Aleancës për Shqiptarët.

Lëvizja Besa, që arriti të marrë 5 deputetë në zgjedhje, po ndahet në dy fraksione. Të shtunën, një pjesë e kryesisë që mbështet kryetarin Bilal Kasami u mblodh në Tetovë, ndërsa pjesa tjetër që mbështet ish –nënkryetarin Zeqirja Ibrahimi, u mblodh në selinë e partisë, në Shkup.

Ibrahimi ka rreth vetes 3 deputetë, ndërsa grupi i kryetarit mbetet me 2.

Shkak i përçarjes është përgjegjësia që grupi i ish –nënkryetarit i faturon kryetarit për rezultatin e dobët në zgjedhjet lokale. Në mbledhjen e Shkupit, ky grup vendosi edhe shkarkimin e Bilal Kasamit.

Ndërsa pjesa tjetër e kryesisë votoi që Kasami të qëndrojë në krye deri në kongresin e Shkurtit.

Mediat vendase i lidhin këto zhvillime me futjen e njërit prej grupimeve në qeveri, por nuk është e qartë se cili nga grupet mund të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës. Lëvizja Besa e ka mbështetur qeverinë e Zoran Zaev dhe BDI –së, por pa qenë pjesë e saj.

Që prej largimit të Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev ka pasur negociata edhe me  Partinë Demokratike të Menduh Thaçit, por deri tani pa rezultat.

Tv Klan






Të ngjashme