Demarkacioni procedohet në Kryesinë e Kuvendit
Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike i ka rekomanduar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ta dërgojë në seancë për shqyrtim, Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani ka thënë se do të shkohet në Kryesinë e Kuvendit, pa dhënë ndonjë rekomandim për votim për apo kundër kësaj marrëveshjeje.
“Zgjidhja më e mirë është që të shkohet dhe t’i rekomandohet Kryesisë së Kuvendit që ta dërgojë në seancë për shqyrtim. Po ashtu, meqenëse Komisioni ka thënë se do ta dërgojnë edhe raportin përfundimtar, jo atë preliminar, do të sqarohen gjërat para seancës”
, thotë Osmani.
Gjatë takimit të këtij Komisioni disa nga deputetët kanë kërkuar që Kuvendit të Kosovës t’i rekomandohet që kjo marrëveshje e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të mos votohet.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka theksuar se Komisioni për Punë të Jashtme duhet t’i rekomandojë seancës që të mos ratifikohet Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
“
Unë e përkrahi propozimin që në këtë Komision të votohet rekomandimi për mosratifikim, me të cilën do ta dërgonim këtë marrëveshje në seancë, sepse ne si Komision kemi qenë më të informuar dhe më të përfshirë, sa i përket kësaj marrëveshjeje në diskutime me Komisionin Shtetëror”.
“Për mua është e qartë se në gjetjet e tyre që ka pasur disa shkelje, që nga tejkalimit të kompetencave të ish-komisionit dhe deri te dyshimet që janë ngritur nga ky komision për falsifikim të dokumenteve”
, thotë Ymeri.
Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, përmes prezantimeve, pati sjell në vazhdimësi dokumente dhe fakte ekzistuese në lidhje me shënjimin e vijës së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Anëtarët e këtij komisioni patën ripërsëritur se ish-komisioni ka bërë punë joprofesionale dhe jotransparente dhe se janë vërejtur parregullsi të komisionit paraprak. Ata kanë thënë se nuk ka asnjë dilemë se nga të gjeturat e tyre, vija kufitare është bërë keq.
Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të diskutuara në skenën politike të Kosovës.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Kjo Marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.
Mungesa e ratifikimit nga Kosova, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.
Thirrjet ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi datojnë për më gjatë se dy vjet./REL