Nis sesioni i ri parlamentar, Basha: 330 biznese falimentuan në 11 ditë
Në nisje të sesionit të ri parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se në 11 ditët e para të këtij viti kanë falimentuar 330 biznese.
“Vetëm gjatë 11 ditëve të para të këtij muaji, 330 subjekte biznesi kanë deklaruar falimentin. Mesatarisht 30 në ditë. Ndërsa të dhënat tronditëse nga gjendja e popullsisë duket se nuk kanë asnjë impakt e s’mund të ketë asnjë impakt në një qeveri që ka zëvendësuar hartimin e politikave publike me sundimin mafioz. Një në dhjetë fëmijë në Tiranë dhe në Shqipëri konsumon vetëm një vakt në ditë. Shqiptarët e kapën një rekord vitin që e mbyllën, 30 mijë shqiptarë janë regjistruar si azilantë, në Francë numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil është më i madhi.”
Kryedemokrati tha se kjo ishte fatura e shkeljes së Kushtetutës nga ana e Kryeministrit, duke emëruar një kryeprokurore të përkohshme në mënyrë të paligjshme.
“Kjo është fatura që populli po paguan kur mazhoranca shkel Kushtetutën për të mbrojtur peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit. Kur Kryeministrit i duhet një kryeprokuror për të kontrolluar dhe mbyllur çështjet penale të bashkëpunëtorëve më të afërt dhe për të diktuar përmes një prokurori të paligjshëm e jokushtetues, edhe formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me një qëllim, të shmangë me çdo kusht krijimin e një SPAKU të pavarur.”
Kryedemokrati tha se, që nga emërimi në mënyrë të paligjshme i kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, i është kthyer pasaporta ish-ministrit Saimir Tahiri, i është dhënë liria Orest Sotës, që u kap me 863 mijë euro dhe me dy patenta të Tahirit dhe po pengohet hetimi për kryebashkiakët e Durrësit dhe Elbasanit. /tvklan.al