‘Sulmet’ e Ramës ndaj medias, Berisha kërkon rezolutën e ‘llum-kazanit’
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër të hënën në Kuvendin e Shqipërisë kundër atyre që ai quajti “sulme” të Kryeministrit Rama kundër mediave.
“
Jam sot këtu për të denoncuar para çdo shqiptari qëndrimin banditesk, të turpshëm, skizoid të kreut të ekzekutivit shqiptar, i cili si askush tjetër në faqen e dheut, si askush tjetër në planet, kalon para një grupi njerëzish dhe u thotë “mirëmëngjes kazan”.Kjo fyerje kolektive, ky poshtërim kolektiv ndaj një grupi vajzash dhe djemsh, që bëjnë një detyrë, informimin e publikut përbën një ndër aktet më të pashembullta të paranojës, të skizës, të kulturës staliniste.
”
Ish-kryeministri Berisha kërkoi edhe një rezolutë që të dënojë veprimet e kreut të ekzekutivit.
“
Kam kërkuar dhe kërkoj një rezolutë, e cila do të titullohet Rezoluta e “Llum-kazanit”. Rezoluta e Llum-kazanit duhet të dënojë para shqiptarëve dhe mbarë botës njeriun që mban postin e kreut të ekzekutivit dhe përdor fuqinë e këtij posti për një ofendim të tillë kolektiv, të cilin mund ta dëgjosh vetëm në spitalet psikiatrike nga të sëmurët më të degraduar.
”
Berisha tha se të vërsulesh ndaj mediave të vendit me fjalën përmbledhëse “kazan”, do të thotë se ke përzgjedhur fyerjen më të rëndë se çdo përmbajtje e veçantë e kazanit. “
Do të thotë se kafshërisht nuk kënaqesh me etiketimin me një nga përmbajtjet, por do të vërsulësh mbi ta çdo përmbajtje që ka kazani.
”/tvklan.al