Detajet e vrasjes/ Aldisoni shtoi kërcënimet ndaj Arielës, pasi dhe familja e refuzoi
Ariela Murati, 21 vjeç, viktima e pasdrekës së sotme në Tiranë kishte refuzuar prej shumë vitesh kërkesën e Aldison Belulajt për lidhje dashurie.
Sipas të dhënave zyrtare mësohet se Aldisoni e kishte kërkuar edhe në familjen Murati dorën e vajzës, gjë e cila ishte refuzuar nga prindërit, pasi vajza sipas tyre nuk ishte dakord dhe i kishin kërkuar që mos të insistonte më.
Sipas dëshmisë që kanë dhënë pas ngjarjes familjarët, Ariela nuk e donte 23-vjeçarin dhe këtë ia kishte përsëritur disa herë.
Ky i fundit e kishte kërcënuar vazhdimisht, kërcënime për të cilat ishin në dijeni dhe prindërit e viktimës, Pandeli dhe Fatbardha Murati, por asnjëherë nuk i ishin drejtuar policisë për denoncim.
Dy të rinjtë ishin njohur disa vite më parë në gjimnazin e Zharrzës “Sotir Kapo”. Në momentin e vrasjes, Ariela ishte e shoqëruar nga motra dhe vajza e tezes.
Vajza ishte beqare, studente në vitin e 3-të të Fakultetit të Drejtësisë dhe jetonte me motrën dhe vajzën e tezes në një shtëpi me qira fare pranë vendit të ngjarjes, në rrugën e “Dibrës”.
/tvklan.al
Gazetar : Spartak Koka