Rama takohet me Kryeministrin e Kroacisë, bisedojnë për Ballist Morinën
Gjatë forumit ekonomik në Davos të Zvicrës, Kryeministri Edi Rama është takuar me Kryeministrin e Kroacisë, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe mbështjen ndaj Shqipërisë për hapien e negociatave.
Në fokus të diskutimit të dy Kryeministrave ka qenë edhe çështja e Ballist Morinës, i cili ndodhet i arrestuar në Kroaci, ndërsa Serbia kërkon ekstradimin e tij për ngritjen e dronit në Beograd.
Gjatë bisedës me Kryeministrin kroat Andrej Plenkovic, shefi i qeverisë shqiptare kërkoi një vendimmarrje të drejtë dhe të ndershme nga ana e autoriteteve të Kroacisë. Kryeministri Plenkovic e siguroi Kryeministrin Rama se rasti i Ballist Morinës do të trajtohet me kujdesin maksimal dhe në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare.
Kryeministri Rama u takua gjatë forumit ekonomik të Davosit edhe me kryeministrin hollandez, Mark Rutte, me të cilin bisedoi mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe rëndësinë strategjike të çeljes së negociatave për anëtarësim, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin./
tvklan.al