Rikthimi i Panucci-t në Skoci
Cristian Panucci kërkon te inatosë sërish skocezët. Ky është titulli i artikullit të “The Times” pas shortit të Nations League ku Shqipëria do të ketë si kundërshtar përfaqësuesen skoceze dhe atë izraelite. Media prestigjioze kujton një gol të Panucci me Italinë në 2007 kundër Skocisë në një ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Europianit të 2008. Sipas saj goli i tij në minutat shtesë mërziti tifozët vendas. Duke folur për gazetën Panucci pranon se shpreson që kjo të ndodhë sërish tashmë që drejton kombëtaren shqiptare.
“Si trajner i Shqipërisë tashmë do të jetë shumë më e vështirë të marrësh një fitore në Glasgou. Goli im erdhi pas goditjes së dënimit të Pirlos. Nuk mbaj mend të ketë patur një protestë për akordimin e kësaj goditjeje, por sigurisht atmosfera atë natë ishte fantastike, e pabesueshme. Nëse inatosa tifozët atë natë në 2007, atëherë shpresoj të bëj të njëjtën gjë sërish, por nuk është e lehtë të luash në Hampden”.
Panucci ka vlerësuar edhe skuadrën që drejton.
“Kemi lojtarë që luajnë në klube në Itali, Gjermani apo Zvicër. Skuadra po ndryshon kështu që kemi një ekip të ri, por me shumë cilësi”.
Trajneri i Kombëtares ka shprehur keqardhjen për faktin që Skocia nuk ka marrë pjesë për një kohë të gjatë në aktivitetet ndërkombëtare.
Tv Klan