Luftëtari mund Skënderbeun
Skënderbeu e nisi 2018 me humbje. Ekipi korçar u mund me rezultatin 2 – 0 nga Luftëtari në Gjirokastër. Golat u shënuan nga Kristal Abazaj, i cili sezonin e ardhshëm pritet të aktivizohet me korçarët. Skënderbeu luajti shumë minuta me 10 futbollistë për shkak të kartonit të kuq të marrë nga Radas. Flamurtari fitoi 1 – 0 në fund me Partizanin në një ndeshje të vendosur nga kapiteni Bushiç.
Loja e fortë solli gol vetëm në kohën shtesë ku vlonjatët kaluan në avantazh falë një penalltie të kundërshtuar nga trajneri i të kuqve Starova, i cili u përjashtua. Fillimisht goditja e Bushiç u grushtua nga portieri Hoxha, por më pas kroati e dërgoi topin në portë.
Me këtë fitore Flamurtari afrohet me Skënderbeun. Peter Pacult debutoi me sukses te Kukësi që mundi 3 – 1 Vllazninë në takimin e zhvilluar në Shkodër. Guri shënoi i pari, më pas Kalaja barazoi përkohësisht rezultatin. Blerja e re e Kukësit, Zedriç dhe Bakaj me golat e tyre në minutat e fundit vendosën fitoren.
Kamza u rikthye te fitorja pas 3 humbjeve radhazi. Suksesi 3 – 1 me Laçin solli 3 pikët për ekipin e Ramadan Ndreut. Teuta barazoi 2 – 2 me Lushnjen. Në takimin e zhvilluar në Durrës tifozët miq krijuan probleme, ku pati edhe të shoqëruar në polici. Superliga u kthye pas 1 muaji pushim.
Tv Klan