Shërbimet holandeze zbuluan “Russiagate”


Shërbimet holandeze zbuluan “Russiagate”

17:27 27/01/2018

Shërbimet sekrete holandeze ishin të parët që denoncuan ndërhyrjen e hakerave rusë në fushatën e kandidates demokrate Hilari Klinton, në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Një investigim i mediave në Holandë, zbuloi se në vitin 2014 agjentët e inteligjencës janë infiltruar në serverat e grupit rus të piratëve, Cozy Bear, i akuzuar për hakerimin e qeverive dhe kompanive të rëndësishme në botë.

Zyrtarët holandeze ia kaluan menjëherë informacionin FBI-së, duke u dhënë prova konkrete për vjedhjen e mijëra e-mail-eve të Komitetit Demokrat në SHBA, por preferuan të qëndrojnë anonimë, pasi i njëjti grup i piratëve rusë ishte nën vëzhgim për hakerimin e disa kompanive energjitike në Holandë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov mohoi përfshirjen e qeverisë ruse në sulmin kibernetik, duke thënë se mediat në Holandë po i hedhin benzinë zjarrit për të fryrë histerinë anti-ruse që ekziston në SHBA.

Piratët kompjuterikë rusë akuzohen se kanë ndihmuar Donald Trumpin të fitojë zgjedhjet e vitit 2016 përballë Hilari Klinton. Hetimi për përfshirjen e Moskës drejtohet nga prokurori special Robert Mueller, i cili deri tani ka marrë në pyetje disa zyrtarë të lartë, përfshirë edhe prokurorin e përgjithshëm Jeff Sessions. Gatishmërinë për t’u pyetur e ka dhënë edhe presidenti Donald Trump, i cili vazhdimisht e ka quajtur Russiagate si një gjueti shtrigash.

Tv Klan






Të ngjashme