Shpërthen ambulanca bombë, të paktën 95 viktima
Ka shkuar në të paktën 95 persona e mbi 150 të plagosur bilanci i viktimave nga sulmi terrorist në kryeqytetin afgan, Kabul.
Terroristët arritën të fusnin një ambulancë të mbushur me eksploziv në një zonë të ndaluar për mjetet e zakonshme, ku ndodhet ministria e Brendshme, disa ambasada, spitale e komisariate policie.
Shoferi kamikaz që drejtonte ambulancën u tha rojeve në hyrje se po transportonte një pacient, por me të hyrë në zonën e mbushur me njerëz, aktivizoi lëndën plasëse. Atentati terrorist u mor përsipër nga Talebanët, që thanë se shënjestra e tyre ishin oficerët e policisë. Autoritetet afgane njoftuan se për fat të keq bilanci i viktimave pritet të rritet, pasi një pjesë e mirë e viktimave janë në gjendje të rëndë. Ky është sulmi i dytë brenda javës në Kabul, pas atij të pak ditëve më parë në një hotel luksoz që shkaktoi 22 viktima.
Tv Klan