BE: Ripranoni shtetasit tuaj
Komisioni Evropian u ka kërkuar shteteve ish-komuniste të Evropës Qendrore, Hungarisë, Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë që brenda muajit Qershor të marrin kuotat e tyre të më shumë se 1.25 milionë emigranteve sirianë dhe nga shtetet afrikane që kërkuan azil në BE të mbetur aktualisht në Itali, Greqi apo Spanjë.
Ministrat e Brendshëm të BE-së diskutuan në Sofje krijimin e një mekanizmi të përhershëm për të gjitha shtetet anëtare për të pranuar refugjatët, në rast të një emergjence të re. Më agresivi ndaj refugjatëve që kërkojnë mbrojtje në BE është Kryeministri hungarez, Viktor Orban.
“
Ne nuk i shohim këta njerëz si refugjatë myslimanë, i shohim ata si pushtues myslimanë. Ne besojmë se një numër i madh i myslimanëve në mënyrë të pashmangshme nxit krijimin e një shoqëri paralele, por shoqëria e krishterë dhe myslimane nuk do të bashkohen asnjëherë. Multikulturalizmi është vetëm një iluzion”.
Krahas emigrantëve të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme apo Afrikë, të bllokuar nëpër kampe në Turqi, Itali apo Greqi, ministrat e Brendshëm diskutuan edhe mbi rikthimin në atdhe të azilkërkuesve të paligjshëm. Ata deklaruan se janë mbi 1,700 oficerë Europoli që po ndihmojnë 100 mijë roje kufitare anekënd Kontinentit të Vjetër.
Komisioneri Avramopulos u bëri thirrje shteteve të origjinës së azilkërkuesve të paligjshëm, ndër to edhe Shqipëria, që të shpejtojnë me masat për ripranimin e shtetasve të tyre që do të dëbohen nga BE.
“Ne duhet të jemi në gjendje të kthejmë njerëzit që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e Bashkimit Evropian nëse dëshirojmë ta mbajmë derën hapur për ata që kanë nevojë për mbrojtje. Puna me vendet e treta është thelbësore për ripranimin e azilkërkuesve. Vendet e origjinës duhet të tregojnë gatishmërinë e duhur për të ripranuar shtetasit e tyre që kanë emigruar në mënyrë të parregullt”.
Klan Plus