Atentati mafioz në Tiranë, Xhafaj: Bashkëpunëtori është arrestuar


Atentati mafioz në Tiranë, Xhafaj: Bashkëpunëtori është arrestuar

21:55 30/01/2018

Policia ka vënë në pranga këtë të martë një person, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në atentatin mafioz të ndodhur të hënën në Tiranë, ku mbeti i vrarë 41-vjeçari Devi Kasmi.

Lajmi u bë publik nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë një interviste në studion televizive të emisionit “Studio e Hapur”.

“Është e vërtetë që ka patur një ngjarje të rëndë dje në Tiranë dhe policia ka bërë publike rrethanat e ngjarjes dhe të dyshuarin kryesor. Sipas informacionit që unë kam policia sapo ka ndaluar bashkëpunëtorin kryesor të ekzekutorëve të kësaj ngjarje të rëndë”,

tha Xhafaj në studion e gazetares Eni Vasili.

Xhafaj nuk pranoi të jepte emrin e të arrestuarit, por tha se ai është bashkëpunëtori kryesor i ekzekutorëve, të cilët kanë qenë dy. “

Ata janë ndihmuar edhe nga persona të tjerë”,

theksoi Ministri, duke shtuar se një prej tyre është edhe personi i arrestuar këtë të martë.

Policia mësohet se ka arritur gjithashtu të gjejë edhe motorin, që dyshohet se është përdorur nga atentatorët.

Më herët gjatë ditës së sotme, Policia e Tiranës shpalli zyrtarisht në kërkim Domart Konjarin si i dyshuari kryesor për vrasjen e Kasmit. 

Dyshimet e policisë bazohen mbi faktin se Domart Konjari ishte një nga rivalët dhe kundërshtarët kryesorë të Devi Kasmit në fushën e trafikimit të kokainës në Spanjë dhe në Francë. Dyshohet se viktima Devi Kasmi kishte tentuar të vriste më parë në Spanjë Domart Konjarin, duke e lënë të plagosur.

/tvklan.al






Të ngjashme