Xhafaj e Marku bashkë kundër krimit


Xhafaj e Marku bashkë kundër krimit

15:20 02/02/2018

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeprokurorja Arta Marku firmosën një marrëveshje për bashkëpunim në luftën kundër lëndëve narkotike, pastrimit të parave, korrupsionit dhe konfiskimit të aseteve kriminale.

Në dokument thuhet se Prokuroria e Përgjithshme merr përsipër të krijojë seksione të posaçme të përkohshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe disa Prokurori, ndërsa brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje duhet të caktohen edhe prokurorët e këtyre seksioneve ku, njëri prej tyre do të jetë drejtuesi.

Prokurorët që do të caktohen në këto Seksione të Posaçme do të kalojnë paraprakisht një proces verifikimi të pasurisë dhe integritetit . Ky proces do të realizohet në bashkëpunim me Shërbimin Informativ, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive si dhe DSIK-në.

Në Prokurorinë e Përgjithshme do të caktohet një prokuror/koordinator ndërmjet seksioneve të posaçme dhe Task-Force Speciale Qendrore e cila është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Për të shmangur nxjerrjen e sekretit hetimor, shërbimet e policisë gjyqësore do të dërgojnë materialet në seksione në mënyrë të drejtpërdrejtë.  Nga ana e saj ministria do të sigurojë mbrojtje dhe siguri fizike për prokurorët dhe familjarët e tyre kur u vihet jeta në rrezik dhe do bashkëpunojë ngushtë me ta me qëllim goditjen e grupeve kriminale.

Tv Klan






Të ngjashme