Me gruan prej 24 vitesh, por nuk “martohet” dot


Me gruan prej 24 vitesh, por nuk “martohet” dot

21:41 02/02/2018

Një qytetar nga Shkodra, që jeton në Greqi, tregon në emisionin “Stop” se e ka të pamundur të sigurojë një akt martese, edhe pse ai ka vënë kurorë me bashkëshorten në 18 tetor 1994.

Nga martesa kanë edhe tre fëmijë, që kanë lindur në shtetin grek. Por nga mungesa e certifikatës së martesës, Lulash Muri thotë se humb 900 euro në vit, që i takojnë fëmijëve.

Gazetarja e emisionit “Stop” takon 2 nga dëshmitarët e martesës së Lulashit. Xhan dhe Mire Fiku tregojnë se çfarë mbajnë mend nga Tetori i vitit 1994, kur çifti Muri u martua.

Gazetarja shkoi në Gjendjen Civile të Gurit të Zi dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, por dokumenti i martesës së zotit Muri nuk ekziston.

Në këtë rast, zgjidhja mbetet vetëm gjykata.

“Unë quhem Lulash Muri. Jam martuar në Tetor të vitit 1994. Kam bërë martesën rregullisht me Violeta Murin. Kam ndenjur pak kohë në Shqipëri dhe jam larguar në vitin 1998. Kemi lindur 3 fëmijë në Greqi, që i kam me të gjitha dokumentet në Greqi. Unë kam 7 vjet që kërkoj një certifikatë martesore. Marr certifikatë familjare, martesore nuk më japin. Kjo certifikatë martesore shërben sepse unë marr asistencë për fëmijët. Nga 900 euro në vit unë i humb se nuk kam këtë certifikatë. Çështjen e kam çuar edhe në gjykatë, kam dy vjet që e kam deklaruar edhe në gjykatë, por nuk kanë marrë asnjë lloj vendimi dhe s’më ka ardhur asnjë datë gjyqi".

Gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi me dy dëshmitarët e martesës së çiftit Muri, të cilët pohojnë që kanë qenë prezentë kur Lalushi dhe Violeta janë martuar.

“Si s’kam qenë prezent moj, kanë edhe fëmijë. Tani është poshtërsi që s’i dalin letrat pas 20 vitesh. Unë s’mbaj mend kur kam vënë kurorë vetë, jo më të mbaj mend për këta. Kam qenë dëshmitar, kanë vënë kurorë, kemi kryer punë dhe kemi pirë nga një kafe. Unë kam qenë me gruan time dëshmitar, ka patur dhe njerëzit e vet për qejf”,

u shpreh Xhani. Të njëjtën gjë tha dhe bashkëshortja e tij, Mire.

Gazetarja iu drejtua Njësisë Administrative Guri Zi për të pyetur nëse ekziston në dosjen e Lalush Murit certifikata e tij martesore.

“Zotëria nuk ka vënë kurorë tek unë, në Gjendje Civile. Ky është shtetas i ardhur në vitin 1996 dhe si pretendon ai 1994-ën dhe këtë mund ta verifikojmë. Ka ardhur me leje banimi dhe kur vihet në Gjendje Civile vihet me familjen. Kështu që ai ka ardhur i martuar këtu. Në sistem del i martuar. Aktet e martesave dorëzohen në arkivë e si rregull mbyllen dhe dorëzohen aty. Ne nuk kemi akte”.

Ndaj gazetaria shkoi tek arkiva e Gjendjes Civile, por u përball me një njoftim të ngjitur te dera, ku thuhej:

“Më datë 24.01.2018 për arsye pune nuk shërbehet”.

Këtë herë u detyrua t’i drejtohej Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

“Drejtoria e Përgjithshme ka kryer verifikimet e nevojshme administrative, rezulton se ky akt nuk figuron, pra nuk është nën administrimin e kësaj zyre. Pamundësia për ta ribërë aktin, të kthehemi kur kanë kryer martesën, të çon drejt rrugës gjyqësore. Ribërja e aktit nuk do të lehtësonte situatën e zotit Muri. Kjo është një mangësi administrative që ka ndodhur në të shkuarën, në kushtet ku jemi nuk mund ta rregullojmë, pasi dokumenti mungon. Nëse procesi do të rihapet, mund të kërkojnë drejtorinë si palë në proces për të mbështetur dhe për të dhënë zgjidhjen sa më të shpejt dhe pa zvarritje të rastit”,

u shpreh Irida Zagolli, përgjegjëse e dokumentacioneve në DPGJC.

Moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj thanë që qytetari nuk ka marrë për 7 vjet pagesën që meritonte nga shteti grek, për fajin e shtetit shqiptar, i cili vetëm e ka zvarritur dhe tani i ka gjetur zgjidhje procesin gjyqësor.

/tvklan.al






Të ngjashme