Bushati: Duam marrëdhënie të mira me Greqinë dhe Turqinë


Bushati: Duam marrëdhënie të mira me Greqinë dhe Turqinë

23:36 03/02/2018

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati thotë se Shqipëria është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira si me Greqinë ashtu edhe me Turqinë. Në një intervistë për televizionin grek “Antena”, kryediplomati tha se kishte kryer një vit studime në Athinë ku kishte miq të mirë jo vetëm në radhët e politikës, por edhe në shoqërinë civile dhe atë akademike.

“Nuk kam studiuar në Turqi, por them se kemi gjithashtu marrëdhënie të mira dhe strategjike me Turqinë” është shprehur ministri i Jashtëm shqiptar. I pyetur për raportet që Greqia duhet të ndjekë me shqiptarët, Bushati thotë se pavarësisht se ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, ata kanë dëshmuar në të kaluarën se janë element vitalë të stabilitetit demokratik dhe perspektivës Euro-Atlantike në rajon.

Ministri i Jashtëm shqiptar thotë se nuk i takon atij të flasë për marrëdhëniet mes Greqisë dhe Kosovës, por natyrisht se do të mirëpriste dhe e kërkonte njohjen nga Greqia të Kosovës si shtet.

“Ne e shohim këtë si një hap në drejtimin e duhur dhe si një investim për stabilitetin e rajonit tonë”, thotë Bushati. Sa u përket negociatave për emrin e Maqedonisë, Bushati tha se inkurajonte një zgjidhje me kompromis nga e cila të përfitojnë të dyja palët.

Tv Klan






Të ngjashme