Rama viziton fabrikën e bakrit në Spaç
Të shtunën kryeministri ka qenë në Mirditë për të inspektuar disa investime të kryera në këtë zonë, por zyra e shtypit e ka shpërndarë materialin vetëm këtë të dielë përmes kanalit që mban emrin e tij në Facebook, ERTV.
Fabrika e pasurimit të bakrit në minierën e Spaçit ishte një nga ndalesat. Në zonën ku më parë ngrihej burgu famëkeq i Spaçit, një kompani private ka investuar 25 milionë Dollarë dhe ka punësuar 200 punonjës. Por problemi më i madh duket se është mungesa e profesionistëve, një shqetësim që kryeministri e ka kthyer në një refren të aktiviteteve ku flitet për punësimin.
Kemi vështirësi për të gjetur sidomos persona teknikë,” u shpreh përfaqësuesi i firmës.
“Nuk është thjesht çështja të krijojmë vende pune, por edhe të krijojmë aftësi për punë, sepse na ndodh vazhdimisht që punë ka, por mungojnë kapacitetet teknike për të bërë ato lloj punësh. Ne kemi hapur një shkollë profesionale për minierat këtu në Bulqizë, me sistemin që një pjesë të javës e kalojnë në shkollë, një pjesë në punë, e cila ju ndihmon dhe ju, ndihmojmë edhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit”.
Në Rubik kryeministri u ndal për të vizituar “Info kullën”, një qendër informacioni turistik por dhe një minimuze ku përmes instalacioneve njihesh me gjithë historinë e zonës Mirditës.
Rama premton ndërtimin e një rrjeti qendrash të ngjashme që lidhen mes tyre përmes internetit.
“Çdo bashki mund të gjejë karakteristikën e vet për të ndërtuar një qendër të tillë dhe pastaj të gjithë ato qendra t’i lidhim në rrjet përmes teknologjisë dixhitale, në mënyrë që të kemi një bum informacioni dixhital për turistët”.
Kryebashkiakut socialist të Mirditës Rama i kërkon që vëmendje t’i kushtohet dhe projektit të qeverisë për zhvillimin e agro-turizimit në këtë zonë.
Tv Klan