Erdogan: BE të mbajë premtimin
Presidenti Rexhep Tajip Erdoan i kërkon BE-së që të mbajë premtimin lidhur me aderimin e Turqisë. Në një intervistë për të përditshmen italiane “La Stampa”, gjatë një vizite zyrtare që po zhvillon në Romë, ai gjithashtu thotë se duhet të ruhet statusi i qytetit të Jeruzalemit.
“Pranimi i Turqisë në BE nuk mund të flijohet në llogaritjet e politikës së brendshme – thotë ai – dhe Jeruzalemi nuk është thjesht një çështje e myslimanëve”. Sipas presidentit turk, statusi i këtij qyteti “duhet të ruhet bazuar në rezolutat e OKB-së, duke siguruar që myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë të jetojnë në paqe krah për krah”.
Kreu i shtetit turk flet edhe për ndërhyrjen turke në provincën siriane Afrin: “Luftojmë vetëm terroristët dhe kemi të drejtë ta bëjmë këtë”. Ai siguron që Ankaraja do të kontribuojë në integritetin territorial të Sirisë. Gjithashtu përsërit se nuk është pushtues.
Sa i përket Libisë, Erdogan thotë se “Turqia mbështet integritetin territorial libik dhe unionin e saj politik”. Presidenti turk rikujton që Roma dhe Ankaraja kanë rinisur aktivitetet në ambasadat e tyre në Tripoli dhe premtoi se shumë shpejt do të jetë operativ një grup pune i përbashkët për të zgjidhur krizën e brendshme.
Tv Klan