Vota e Shqipërisë në OKB, debate në parlament
Vota e Shqipërisë në OKB për statusin e Jeruzalemit ka shkaktuar debat këtë të enjte në parlament.
Pas fjalës së Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili numëroi nga foltorja e Kuvendit të gjitha firmat e paraardhësve të tij në OKB, që kanë votuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, reagimet vijuan nga kreu i opozitës, Lulzim Basha e më pas ish-Kryeministri Sali Berisha.
Në replikën e tij të shkurtër, Basha e quajti Bushatin mashtrues dhe tha se rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese.
Ndërsa ish-Kryeministri Sali Berisha e konsideroi 21 Dhjetorin, ditë të zezë për Shqipërinë. Ai u shpreh se vota kundër SHBA ishte votë kundër interesit Kombëtar.
”
21 Dhjetori do të hyjë në historinë e Shqipërisë si dita më e zezë që bijtë e etërve mizorë rikthyen në OKB votën e Enver Hoxhës kundër kombit që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve”,
tha Berisha.
/tvklan.al